Njoftim për vazhdimin e shërbimit online “Mëso dhe ndërro Qendrën e Votimit”

01/03/2024

Prishtinë, 1 mars 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton qytetarët se është duke vazhduar shërbimi online përmes platformës elektronike “Mëso dhe ndërro Qendrën e Votimit”.

Qytetarët me të drejtë vote mund të mësojnë për adresën e qendrës së tyre të votimit si dhe nëse duan të vazhdojnë të paraqesin kërkesat e tyre për ndërrimin e saj brenda komunës së tye.

Ky shërbim i KQZ-së është i përhershëm, pra bëhet i mundur edhe në periudhë jozgjedhore.

Platforma “Mëso dhe ndërro Qendrën e Votimit” është vendosur në ueb faqen e KQZ-së: www.kqz-ks.org ose mund të qaset direkt në: eomp.kqz-ks.org.

Në këtë platformë, është e mjaftueshme që të shënohet vetëm numri i identifikimit dhe menjëherë do të shfaqen të dhënat për qendran aktuale të votimit. Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës së tij, këtë mund ta bëjë duke klikuar në butonin “dërgo kërkesën për ndryshim”. Në këtë rast, votuesi mund të zgjedhë Qendrën e Votimit që është më afër adresës së vendbanimit të tij, në mënyrë që aty të mund të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Pasi votuesi të zgjedhë Qendrën e Votimit ku dëshiron të caktohet, ai duhet të plotësojë edhe të dhënat që kërkohen: Adresa e vendbanimit, e-mail adresa dhe të bashkangjes një kopje të dokumentit të identifikimit. Pasi kërkesa të dërgohet për shqyrtim në KQZ, brenda një kohe të shpejtë do të marrë përgjigje.

Po ashtu, përveç platformës online, ndërrimi i Qendrës së Votimit mund të bëhet edhe në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, varësisht se në cilën komunë është votuesi. Adresat  e ZLKZ për secilën komunë janë publikuar këtu: https://kqz-ks.org/adresat-e-zyrtareve-komunal/