Prishtinë, 30 nëntr 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 32-të në këtë vit, të kryesuar nga Kryesuesi i KQZ-së, z. Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të mbledhjes, anëtarët e KQZ-së u njoftuan lidhur me aktivitetet e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) të realizuara pas mbledhjes së fundit.

Nga ZRCKFSP u bë e ditur se është në shqyrtim publik regjistrimi i iniciativës politike Srpska Demokratija. Dokumentacioni i nevojshëm për këtë (statute, programi dhe logo e iniciativës) është publikuar në ueb faqen e KQZ-së. Sipas paragrafit 4, të nenit 3 të Rregullores Nr. 01/ 2023 për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, secili qytetar i Republikës së Kosovës, mund ta kundërshtojë kërkesën në bazë të një ose më shumë arsyeve të parashtruara, duke i dorëzuar kundërshtimet me shkrim në Zyrë brenda shtatë ditëve nga shpallja e kërkesës. Afati i fundit për dorëzim të kundërshtimeve është data 05.12.2023 dhe nëse nuk ka kundërshtime, atëherë pas këtij afati, Zyra do ta paraqesë rekomandimin në KQZ, për regjistrimin e iniciativës politike, si parti politike.

Po ashtu, në mbledhje u bë e ditur se në ueb faqe janë publikuar raportet vjetore financiare të partive politike për vitin 2021. Me këtë publikim, KQZ përmbyllë procesin e publikimit të raporteve vjetore financiare të partive politike për vitet 2021 dhe 2022 si dhe të raporteve finaciare të deklarimit financiar të fushatës së Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (14 shkurt 2021) dhe Zgjedhjeve Lokale për Kuvende Komunale dhe dy raundet për Kryetarë të Komunave (17 tetor 2021 dhe 5 nëntor 2021).