Njoftim nga mbledhja e 23-të e KQZ-së

09/04/2024

Prishtinë, 9 prill 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 23-të për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të mbledhjes, anëtarët e KQZ-së u njotuan se më 7 dhe 8 prill janë pranuar dorëheqjet e katër përfaqësuese të subjektit politik Lista Serbe nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, dhe dorëheqjen nga përfaqsuesi i subjektit politik GI SPO nga komuna e Mitrovicës së Veriut, të cilët ishin emëruar më parë nga KQZ për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në këto komuna. Pas pranimit të këtyre dorëheqjeve, KQZ u ka dërguar këtyre dy subjekteve politike kërkesën për zëvendësimn e anëtarëve të dorëhequr nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për akreditimin e grupit të parë prej 18 vëzhguesve, të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin e votimit më 21 prill dhe procedurat tjera deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar. Sipas vendimit të KQZ-së, organizatat vëzhguesve të akredituara janë si në vijim:

Emri i organizatës vëzhguese Data e aplikimit Numri i vëzhguesve Kategoria
RADIOTELEVIZIONI DUKAGJINI – RTVD 02.04.2024 8 Media vendore
TELEGRAFI 08.04.2024 3 Media vendore
ARBRESH.INFO 08.04.2024 3 Media vendore
AMBASADA E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË REPUBLIKËN E KOSOVËS 08.04.2024 4 Përfaqësi diplomatike në Kosovë

Afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të kryetarëve aktual, OJQ-ve vendore/ndërkombëtare dhe mediave do të përfundojë më 15 prill 2024. Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për akreditim janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së ëëë.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Subjete Politike > Shërbimet për OJQ dhe Media.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi Listën e Votuesve për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Kjo listë përmban 46,556 votues apo 1,461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura më 23 prill 2023.

Sipas të dhënave, numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë, është: 1,826 votues, prej të cilëve:

  • 293 votues të rinj që pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill 2023, kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç; dhe
  • 1,533 votues që nuk kanë qenë në Listën e Votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill 2023, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Registrin Qenror Civil apo votues të cilët kanë ndërruar komunën pas atyre zgjedhjeve.

Sipas raportit të Listës së Votuesve, numri i votuesve që janë larguar si të vdekur, që kanë ndërruar komunën apo kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill 2023 është 365.

LISTA E VOTUESVE E CERTIFIKUAR PËR PROCESIN E VOTIMIT MË 21 PRILL 2024 PËR APO KUNDËR LARGIMIT TË KRYEATRËVE NGA FUNKSIONI NË KOMUNAT LEPOSAVIQ, ZUBIN POTOK, ZVEÇAN DHE MITROVICË E VERIUT
Komunat Numri i votuesve
për komuna
Numri i Qendrave
të Votimit
Numri i
Vendvotimeve
LEPOSAVIQ 13,674 18 25
ZUBIN POTOK 6,877 12 14
ZVEÇAN 7,209 6 11
MITROVICË E VERIUT 18,796 7 23
Total: 46,556 43 73

Gjatë periudhës për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës (18 mars – 3 prill 2024) janë paraqitur 12 kërkesa dhe të njëjtat janë aprovuar.

Ndërkaq, gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës (29 mars – 5 prill 2024) KQZ ka pranuar 2 kërkesa dhe të njëjtat janë aprovuar. Dy votuesit e regjistruar suksesshëm janë larguar nga Lista e Votuesve brenda Kosovës dhe të njëjtit do të mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 10 prill dhe përfundon më 20 prill 2024.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ miratoi procedurën për përdorimin e kamerave në vendvotime, proces i planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ, më saktësisht me Rregulloret Zgjedhore Nr. 11/2024 për Këshillat e Vendvotimeve dhe Nr. 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e Vendvotimit. Këto dhe Rregulloret tjera Zgjedhore nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, por do të vlejnë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore dhe vendosja e kamerave në vendvotime bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.

Sipas procedurës së miratuar nga KQZ, vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër nga kabina e votimit si dhe ruajtja e regjistrimeve do të jetë e përkohshme, deri në asgjësimin e materialeve zgjedhore.

Gjatë procesit të votimit, në ditën e zgjedhjeve, nuk do të bëhet monitorimi i kamerave dhe se qasja në imazhe mund të sigurohet vetëm me vendim të KQZ-së, PZAP-it, Prokurorisë apo Gjykatës dhe jo në rrethana të tjera.