Njoftim nga mbledhja e 18-të

22/03/2024

Prishtinë, 22 mars 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 18-të në këtë vit, të kryesar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

  • Në fillim të mbledhjes, u prezantua një raport lidhur me përgatitjet për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Me qëllim të funksionalizimit të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, me përkrahjen komunave përkatëse, janë siguruar zyret në hapësirat e objekteve të administratës komunale.

Gjithashtu, në kuadër të këtyre përgatitjeve, KQZ mori vendim për emërimin edhe të 5 anëtarëve të tjerë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, pasi në mbledhjen e kaluar emëroi rreth 20 anëtarë. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së.

Lidhur me funksionimin e KKZ-ve, KQZ shqyrtoi dhe miratoi Kodin e sjelljes për anëtarët e këtyre komisioneve komunale që janë emëruar për procesin e votimit më 21 prill.

  • Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për regjistrimin e partisë politike Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar (PBKDSH).

Me datën 26.02.2024, iniciativa politike e quajtur “Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar” me akronim PBKDSH, e cila udhëhiqet nga z. Nikoll Perkaj, ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim, duke i bashkangjitur dokumentet e kërkuara sipas Rregullores Nr. 01/2024 Regjistrimi dhe funksionimin e partive politike. Pas pranimit të aplikacionit për regjistrim të iniciativës politike, Zyra ka shqyrtuar dhe verifikuar të gjithë dokumentacionin e dorëzuar, duke filluar nga: Statuti, programi, akti i themelimit, simboli, raporti financiar dhe libreza e nënshkrimeve të përkrahjes së votuesve të regjistruar. Pas pranimit të këtyre dokumenteve, Zyra ka komunikuar me palët, duke i dërguar shkresën që përmban komentet për ndryshim. Iniciativës politike i është dhënë afat prej pesë (5) ditësh për të dërguar ndryshimet. Para përfundimit të këtij afati, iniciativa politike ka aplikuar ndryshimet e kërkuara dhe ka dorëzuar materialet në Zyrë.

Pas verifikimit përfundimtar të të gjitha dokumenteve që kërkohen për regjistrimin e iniciativës politike si parti politike, Zyra ka shpallë për shqyrtim publik, në faqen zyrtare të KQZ, kërkesën e kësaj iniciative politike, nga data 11.03.2024 deri me datën 17.03.2024. Gjatë kësaj periudhe nuk është pranuar asnjë ankesë që ndërlidhet me aplikimin për regjistrim të saj.

Iniciativa politike “Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar” pas regjistrimit nga KQZ, do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës dhe do të jetë partia politike me numrin rendor pesëdhjetë e dy (52).

Gjatë kësaj mbledhje, KQZ shqyrtoi dhe miratoi Rregulloren Zgjedhore Nr. 14/2024 Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).