Njoftim nga mbledhja e 12-të: KQZ cakton datën 21 prill 2024 për votim për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut

08/03/2024

Prishtinë, 8 Mars 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje u prezantua raporti lidhur me procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura nga katër grupet nismëtare në peticionin e organizuar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe të dorëzuara në KQZ nga kryesuesit e kuvendeve komunale të këtyre komunave.

Pas procesit të verifikimit, që përfshinë vërtetimin nëse personat e nënshkruar në peticionin e organizuar në komunat përkatëse janë votues të atyre komunave, KQZ njofton si në vijim:

Nga peticioni i organizuar në komunën e Leposaviqit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 3,030 nënshkrime të plotësuara në 304 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 2,905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 13,441 votues, ndërsa 2,689 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë.

Nga peticioni i organizuar në komunën e Zubin Potokut, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 1,576 nënshkrime të plotësuara në 158 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1,380 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 6,732 votues, ndërsa 1,347 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë.

Nga peticioni i organizuar në komunën e Zveçanit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 1,834 nënshkrime të plotësuara në 185 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1,714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 7,052 votues, ndërsa 1,411 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë.

Nga peticioni i organizuar në komunën e Mitrovicës së Veriut, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 4,148 nënshkrime të plotësuara në 423 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 3,653 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 18,199 votues, ndërsa 3,640 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë.

Pas prezantimit të raportit, KQZ, me 8 vota për dhe 2 abstenime, miratoi rekomandimin nga Sekretariati i KQZ-së, për caktimin e datës 21 prill 2024 si datë për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve të katër komunave, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.