Mbledhja e KQZ-së: Rishikimi i planifikimin buxhetor për zgjedhjet e 23 prillit; azhurnimet vjetore të partive politike; dhe miratimi i qendrave të votimit në Kosovë

01/03/2023

Prishtinë, 01 mars 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e pestë për vitin 2023, të kryesuar nga kryetari, Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të mbledhjes, kryetari Radoniqi i uroi mirëseardhje anëtarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, i cili u emërua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani pas propozimit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Z. Krasniqi, uroi mbarësi në angazhimin e përbashkët në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja u njoftua lidhur me procesin e dorëzimit të azhurnimeve vjetore të partive politike, si një obligim që del nga Rregulla Zgjedhore e KQZ-së 01/2013 për regjistrimin dhe veprimin e partive politike. Në bazë të kësaj rregulle, partia politike e regjistruar e kompleton dhe i dorëzon të dhënat e ndryshuara vjetore deri më 31 janar të çdo viti. Deri në këtë afat, nga 49 parti politike të regjistuara, 46 prej tyre i kanë dorëzuar formularët e azhurnimit vjetor, ndërsa 3 të tjera (Stranka Demokratske Akcije, Lëvizja Qytetare Vatra dhe Partia Demokratike e Unitetit) me vonesë një mujore. Për këtë arsye, duke u mbështetur në këtë rregull zgjedhore, KQZ-ja mori vendim për gjobitjen e tyre me nga 300 euro.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ-ja miratoi rishikimin e buxhetit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023. Sipas këtij planifikimi të ri, buxheti për organizimin e këtyre zgjedhjeve do të jetë më i ulët në për rreth 59,085 euro. Pra, tashmë buxheti i planifikuar për këto zgjedhje është në vlerën 497,398 euro nga 556,483 sa ishte planifikuar gjatë procesit zgjedhor të vitit të kaluar. Kjo është bërë pas reduktimit të stafit për 15 zyrtarë dhe se gjatë rishikimit janë marrë për bazë kontratat e nënshkruara për furnizime dhe shërbime, e të cilat kanë ndikuar në uljen e vlerës totale të kërkesës buxhetore.

Po ashtu, në këtë mbledhje, duke u mbështetur në aktivitetin e planifikuar me planin e punës, KQZ-ja miratoi listën e Qendrave të Votimit në Republikën e Kosovës, numri i përgjithshëm i të cilave është 904 nga 883 sa ishin në procesin e fundit zgjedhor.