Mbledhja e KQZ-së: Regjistrimi i dy partive politike dhe raporti i shpenzimeve për Zgjedhjet Lokale 2021

09/03/2022

Prishtinë, 9 mars 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 10-të për këtë vit, të kryesuar nga Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për regjistrimin e dy partive politike: GUXO dhe Bashkimi për Ndryshim ANAMORAVA. Pas këtyre dy vendimeve, sipas regjistrit, numri i partive politike të regjistruara në Kosovë është 51.

  • Më 14 shkurt 2022, iniciativa politike e quajtur GUXO, udhëheqëse e së cilës është znj. Donika Gërvalla Shëarz, ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim. Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka shqyrtuar dhe verifikuar të gjithë dokumentacionin e dorëzuar, përfshirën statuin, programin, aktin e themelimit, simbolin, raportin financiar, librezën e nënshkrimeve të përkrahjes nga votuesit e regjistruar si dhe janë bërë përmirësimet e nevojshme, duke plotësuar në këtë mënyrë të gjitha kërkesat ligjore për regjistrimin e partisë politike: GUXO. Kjo parti do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara në Kosovë si partia e 50.

 

  • Më 18 shkurt 2022, iniciativa politike e quajtur Bashkimi për Ndryshim ANAMORAVA (BNA), udhëheqës i së cilës është z. Isa Agushi, ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim. Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka shqyrtuar dhe verifikuar të gjithë dokumentacionin e dorëzuar, përfshirën statuin, programin, aktin e themelimit, simbolin, raportin financiar, librezën e nënshkrimeve të përkrahjes nga votuesit e regjistruar si dhe janë bërë përmirësimet e nevojshme, duke plotësuar në këtë mënyrë të gjitha kërkesat ligjore për regjistrimin e partisë politike: Bashkimi për Ndryshim ANAMORAVA (BNA). Kjo parti do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara në Kosovë si partia e 51.

 

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja shqyrtoi dhe miratoi raportin përfundimtar të shpenzimeve për organizimin dhe mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale gjatë vitit 2021. Në bazë të të dhënave nga raporti i miratuar, kostoja e përgjithshme për organizimin e Zgjedhjeve Lokale 2021, duke përfshirë të dy raundet, është: 6 milion e 467 mijë e 352 euro. Buxheti i planifikuar për mbajtjen dhe organizimin e këtyre zgjedhje ishte në shumën: 7 milion e 824 mijë e 957 euro. Shuma më e madhe e buxhetit të shpenzuar është në kategorinë mallra dhe shërbime, përkatësisht e shërbimeve kontraktuese, e cila ka të bëjë me shpenzimet për pagesën e trupave zgjedhore të angazhuar gjatë dy raundeve zgjedhore dhe stafin e përkohshëm në QNR dhe KQZ.  Për organizimin dhe mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale 2017, KQZ-ja kishte shpenzuar: 7 milion e 18 mijë e 757 euro, ndërsa për ato të vitit 2013: 5 milion e 834 mijë e 37 euro.

Në fund të mbledhjes, KQZ-ja miratoi kërkesat për zëvendësimin e nëntë anëtarëve të Kuvendit Komunal në Istog.  

Këtu i gjeni vendimet e KQZ-së nga mbledhja e 10-të, 09 mars 2022.