Prishtinë, 22 shkurt 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, të kryesyar nga Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e planit të punës së KQZ-së për vitin 2022, ku bëjnë pjesë të gjitha aktivitetet që do të zbatohen gjatë këtij viti. Aktivitetet e parashikuara në planin e punës janë në përputhje me parimet orientuese të KQZ-së dhe i kontribuojnë zbatimit të misionit të institucionit. 

Në vazhdim, anëtarët e KQZ-së u njoftuan lidhur me mospagesat për një numër të stafit (mbi 500 persona) të cilët kanë qenë të angazhuar në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale 2021. Këto raste janë paraqitur për shkak të gabimeve në numrat e llogarive dhe rastet e tilla nuk kanë mundur të procesohen nga bankat komerciale.  Dokumentacioni i saktë dhe i nevojshëm është kompjetuar dhe aktualisht, Sekretariati i KQZ-së është duke identifikuar linjat buxhetore nga të cilat do të merren mjetet për t’i realizuar këto pagesa.

Po ashtu, anëtarët e KQZ-së u njohun edhe me fillimin e procedurave për zhvillimin e aktivitetit të prokurimit për asgjësimin e materialit zgjedhor të Zgjedhjeve Lokale 2021. Njëkohësisht, u bë e ditur se pas kërkesës, PZAP dhe Prokuroria e Shtetit kanë identifikuar listën e materialeve të vendvotimeve të cilat duhet të ruhen pasi mund të jenë objekt i hetimit të këtyre institucioneve. Po ashtu, edhe Sekretariati është duke analizuar dhe identifikuar të gjitha vendvotimet të cilat do të përjashton nga shkatërrimi. 

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për publikimin e dosjes së inforimit publik për subjektet politike dhe kandidatët të cilët u takojnë Zgjedhjeve Lokale 2021. Kjo dosje përmban: regjistrin e donatorëve të secilit subjekt politik; raportet e publikimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike të dorëzuara në KQZ dhe formularët e publikimit financiar për kandidatët e zgjedhur. Meqenëse këto të dhëna nuk janë audituar deri më tani, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin: “Raportet financiare të fushatës janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndyrshime dhe saktësimë gjatë procesit të auditimit”.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për shqiptim të gjobës për partine politike Forca e Diasporës për shkak të vonesës në dorëzimin të formularit të azhurnimeve vjetore, ashtu siç kërkohet me Rregullën Zgjedhore për Veprimin e Partive Politike. Duke u mbështetur në këtë rregullë, FeD si parti politike e papërfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, për vonesën 10 ditore ne dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar, dënohet me gjobë prej 320 eurove.

Po ashtu, KQZ-ja mori vendim për miratimin e kërkesës së partisë politike Eko Lëvizja e Gjelbër për shtyrjen e mbajtjes së kuvendit zgjedhor, për shkak të situatës pandemike dhe masave kufizuese për tubimet.

Në fund të mbledhjes, KQZ-ja miratoi kërkesat për zëvendësimin e anëtarëve që u takojnë Kuvendeve Komunale nga komunat e ndryshme, si: Dragash, Prizren, Kamenicë dhe Graçanicë.

Këtu i gjeni vendimet e KQZ-së nga mbledhja e 7-të, 22 shkurt 2022