Prishtinë, 31 maj 2022 – Sot, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u organizua tryeza me temën: “Mbikëqyrja e financave të partive politike – nevoja për koordinim institucional.

Në këtë tryezë, ku përveç KQZ-së, morën pjesë edhe përfaqësues e drejtues të institucioneve tjera: Drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion, Yll Buleshkaj, Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj dhe nga Prokuroria e Shtetit, prokurori Arian Gashi, u dakordua për nevojën e bashkëpunimit edhe në të ardhmen në mbikëqyrjen e financave të partive politike.

Në këtë takim, Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se përgjegjësia për të përmirësuar dhe avancuar transparencën e llogaridhënien është detyrë e institucioneve, partive politike, shoqërisë civile dhe mediave. “Transparenca financiare e partive politike është e domosdoshme për të siguruar besueshmëri te qytetarët për partitë politike, por edhe për të garantuar llogaridhënie te qytetarët për paratë që marrin nga buxheti i shtetit apo edhe nga donatorë të tjerë”, tha Radoniqi.

Ai shtoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kontribouar jashtëzakonisht shumë transparencës së financave të partive politike. “Pikërisht me qëllim të rritjes së transparencës para qytetarëve, KQZ-ja ka disa vite që publikon raportet financiare dhe raportet e fushatave zgjedhore edhe kur ato janë të paaudituara. Publikimi i të dhënave, qoftë nga partitë politike apo edhe nga institucionet, krijon kushte për qytetarët, mediat, shoqërinë civile që të monitorojnë financimin e subjekteve politike”, tha Radoniqi.

Edhe drejtuesit e institucioneve tjera, shprehën përkushtimin e tyre për të përmbushur përgjegjësitë e tyre ligjore.