Mbahet programi i trajnimit për anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut

01/04/2024

Mitrovicë e Veriut, 30 mars 2024 – Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024, KQZ organizoi programin e trajnimit për anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna.

Zhvillimi i këtij programi, i cili aplikohet në çdo proces, ka për qëllim informimin dhe njoftimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore gjatë ushtrimit të mandatit të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Pavarësisht se anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, me përjashtim të Kryesuesit, vijnë nga radhët e subjekteve politike, angazhimi i tyre duhet të bazohet mbi parimet e ligjshmërisë, transparencës, barazisë dhe paanshmërisë gjatë përgatitjes dhe organizimit të procesit të votimit.

Me qëllim të funksionalizimit Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, janë caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe KQZ ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve.

Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së.