KQZ me plan konkret për adresimin e rekomandimeve të Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian për Zgjedhjet Lokale 2021

31/03/2022

Prishtinë, 31 mars 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhws dhe mori vendim për miratimin e planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve nga Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve i Bashkimit Europian për Zgjedhjet Lokale 2021.

 

Në mesin e rekomandimeve të BE-së është që të modernizohet metoda e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, përshembull, përmes një vegëze (link) në ueb faqen e KQZ-së me masa të sigurisë, siç është verifikimi me dy hapa i aplikuesve, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja nga mashtrimi dhe nga paraqitja e personave në emër të dikujt tjetër. Në planin e veprimit të miratuar nga KQZ-ja parashihet që të rishikohet dhe plotësohet Rregulla Zgjedhore e KQZ-së për Votimin Jashtë Kosovës në lidhje me aplikimin e masave shtesë për verifikimin e votuesve jashtë Kosovës. Këto ndryshime do të bëhen me qëllim të mbrojtjes së integritetit të votimit jashtë Kosovës kundër mashtrimit dhe paraqitjes së rreme si person tjetër dhe të krijohet aplikacioni për regjistrim online për votuesit jashtë Kosovës.

 

Pjesë e rekomandimeve të vëzhguesve të BE-së ndërlidhen edhe me fushatën zgjedhore të subjekteve politike dhe kandidatëve. Vëzhguesit e BE-së kanë kërkuar që të zhvillohen masa për të zbatuar kufizimet e periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore për raundin e dytë ose të lejohet që fushata të fillojë menjëherë pas raundit të parë. Për të zbatuar këtë rekomandim, KQZ-ja pritet të rishikojë dhe plotësojë Rregullën Zgjedhore për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune.

 

KQZ-së i është rekomanduar edhe ridizajnimi i fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvende Komunale, për të qenë më mirë të kuptueshme nga votuesit si dhe të shtohen informacione se si duhet të plotësojnë fletëvotimin, në mënyrë që të zvogëlohet numrimi i votave të pavlefshme. Për të zbatuar këtë rekomandim, KQZ-ja do të ndryshojë dhe plotësojë Rregullën Zgjedhore për fletëvotimet dhe broshurat.

 

Po ashtu, pas Zgjedhjeve Lokale 2021, Vëzhguesit e Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian kanë rekomanduar që KQZ-ja të krijojë një pozitë administrative jopartiake e sekretariatit të Këshillit të Vendvotimit për të ofruar këshilla dhe asistencë të nevojshme për KVV-të në mënyrë që të përmirësohet efikasisteti dhe performanca e tyre. Sipas KQZ-së, që ky rekomandim të zbatohet, fillimisht duhet të plotësohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe për Zgjedhjet Lokale dhe pastaj të ndryshohet Rregulla Zgjedhore e KQZ-së për Këshillat e Vendvotimeve.

 

Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është parë i nevojshëm para se KQZ-ja të mund ta përfshijë në Rregulla Zgjedhore edhe çështjen e reklamave zgjedhore në platformat online, pasi kjo është kërkuar nga Vëzhguesit e Zgjedhjeve të BE-së.