KQZ-ja vazhdon përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të 18 dhe 25 dhjetorit në katër komuna

10/12/2022

Prishtinë, 10 dhjetor 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës lidhur me përgaittjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 18 dhjetorit për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjeve të parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Në fillim të mbledhjes u paraqit një raport lidhur me ecurinë e përgatitjeve të këtyre zgjedhjeve, si në vijim:
• Komisionet Komunale të Zgjedhjeve janë duke pritur nominimet nga subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit. Sipas vendimit nga mbledhja e sotme e KQZ-së, afati për paraqitjen e nominimeve do të përfundojë më 13 dhjetor.
• Fushata zgjedhore për subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje ka filluar zyrtarisht më 8 dhjetor dhe do të përfundojë më 16 dhjetor 2022. Deri më tani nuk është paraqitur ndonjë kërkesë nga subjektet politike për tubime publike, ashtu siç parashihet me rregullën zgjedhore nr. 13/2013.
• Janë zhvillur pothuajse të gjitha aktivitetet e prokurimit për furnizime dhe shërbime për dy proceset zgjedhore. Varësisht nga përgatitjet teknike, shtypja e fletëvotimeve pritet të fillojë gjatë ditës së sotme ose të nesërme, ndërsa aktualisht është duke u punuar në dizajnimin e formave zgjedhore, shtypja e të cilave planifikohet të bëhet në fillim të javës pas miratimit në KQZ.
• Ushtruesit e Detyrave të Zyrtarëve të Lartë Komunal të Zgjedhjeve të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, kanë njoftuar edhe zyrtarisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se në asnjë rast nuk kanë refuzuar të shkojnë në zyret e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në komunat përkatëse dhe se janë të gatshëm të përmbushin detyrat e tyre në momentin e ofrimit të kushteve dhe rrethanave të sigurisë.

Në vazhdim të mbledhjes, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, KQZ-ja mori vendim për certifikimin edhe të 14 kandidatëve të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Leposaviqit.