Të dhëna për zgjedhjet e 23 prillit: Kandidatët e certifikuar; votuesit; shtypja e fletëvotimeve dhe vëzhguesit e zgjedhjeve

22/04/2023

Prishtinë, 22 prill 2023 – Të dielën do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq. 

 Për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të komunave, KQZ ka certifikuar 11 kandidatë, ndërsa në zgjedhjet për dy kuvendet komunale më shumë se 60 sosh.

 

 Më 6 prill 2023, KQZ-ja ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet në këto katër komuna. Sipas vendimit të KQZ-së, kjo listë përmban 45,095 emra të votuesve, apo 1,345 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021.

Më 14 prill 2023, KQZ mori vendim për numrin e fletëvotimeve që shtypen për zgjedhjet në katër komuna dhe për dy kuvende komunale. Sipas vendimit janë shtypur 43,500 fletëvotime, pra 1,595 apo 3.5% fletëvotime më pak se votues. KQZ-ja kishte caktuar edhe numrin e fletëvotimeve që janë shtypur për zgjedhjet e parakohshme për kuvendin komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit, e që sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje janë shtupur 19,500 fletëvotime, pra 816 apo 4% fletëvotime më pak se votues. Kjo praktikë e shtypjes më pak fletëvotime se numri i votuesve është ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

 Më 20 prill 2023, KQZ-ja mori vendim për akreditimin e 357 vëzhguesve të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin zgjedhor më 23 prill dhe procedurat tjera pas ditës së zgjedhjeve. Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë subjekte politike, media, OJQ dhe përfaqësi të huaja që janë të vendosura në vendin tonë. Numri i vëzhguesve që përfaqësojnë subjektet politike është 75, në emër të OJQ-ve të ndryshme numri i tyre është 109, ndërsa dy vëzhgues përfaqësojnë një ambasadë. Për këtë proces zgjedhor janë akredituar edhe një numër mediash vendore dhe ndërkombëtare, me më shumë se 170 përfaqësues.