Project Description

Sami Hamiti lindi më 1 nëntor 1965 në Dumnicë të Poshtme të komunës së Podujevës.

Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, në Dumnicë të Poshtme, ndërsa shkollën e mesme ekonomike në Prishtinë. Më 1990 ka mbaruar studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinë.

Gjatë viteve 1992-1995 ka udhëhequr sektorin financiar të NT “VATRA”, kurse nga 1995 – 2000 ka udhëhequr sektorin financiar komercial në NT “MIFA”.

  1. Hamiti ka filluar angazhimin në komunën e Prishtinës në vitin 2001 në pozitën e Drejtorit të Inspeksionit, të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2003. Njëkohësisht, gjatë kësaj kohe ka ushtruar edhe detyrën e ZëvendësKryeshefit Ekzekutiv në Komunën e Prishtinës.

Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2007, z. Hamiti zgjedhet Anëtar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe udhëheq grupin e asambleistëve të këtij subjekti.

Po ashtu, në vitin 2007, ai emërohet Këshilltar i Lartë Politik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe këtë detyrë e ushtron deri në shtator të vitit 2010.

Edhe në Zgjedhjet Lokale të radhës, 2009, z. Hamiti zgjedhet për herë të dytë Anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe zgjedhet Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës, të cilën e ushtron deri në mbarim të mandatit të Asamblesë.

Gjatë aktivitetit të tij politik, në nëntorin e vitit 2010 zgjedhet Kryetar i degës së IV të LDK-së në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Në Zgjedhjet Lokale 2013, ai zgjedhet për herë të tretë Anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe udhëheq grupin e asambleistëve të LDK-së.

Ka qenë konsulent i jashtëm në disa botime që kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë dhe të pushtetit lokal, si: Përmbledhja e rregulloreve dhe urdhëresave komunale I dhe II; Zbatimi praktik i dispozitave të aplikuara për pushtet lokal; Informator për biznes, pjesa I dhe II.

Gjithashtu, ka qenë anëtar i grupit punues për hartimin e Ligjit për Pushtet Lokal; anëtar i grupit punues për hartimin e Ligjit për Financa Lokale, si dhe anëtar i grupit të ekspertëve për reformim të administratës publike, etj.

Gjatë angazhimit të tij në organet e vetëqeverisjes lokale, gjatë periudhës 2002-2007, z. Hamiti ka qenë propozues i skemës organizative në administratën komunale çdo vit fiskal. Ai ka punuar në sistematizimin dhe përshkrimin e punëve në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës si dhe ka qenë propozues i disa rregulloreve: Rregullores mbi rentën, tarifat dhe ngarkesat; Rregullores mbi rendin komunal; dhe Rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës tek subjektet afariste, etj.

Hamiti ka botuar Doracakë për komunikim të organeve komunale me palë, rregulloret komunale, urdhëresat, udhëzimet dhe vendimet.

Si pjesë e organeve të vetëqeverisjes lokale ai ka qenë pjesëmarrës në shumë konferenca ndërkombëtare dhe seminare të organizuara në Uashington, Bruksel, Vjenë, Lublanë, etj., ndërsa si anëtar i KQZ-së ka vëzhguar një numër të madh të proceseve zgjedhore në vendet e rajonit dhe më gjerë, si Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Bullgari.

Është emëruar anëtar i KQZ-së, në mars 2022, pas nominimit nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Z. Hamiti, edhe në përbërjet e kaluara ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.