Njoftim lidhur me pagesën e një pjese të stafit të angazhuar në procesin zgjedhor të vitit të kaluar

23/07/2018

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se gjatë këtyre ditëve ka dërguar në Ministrinë e Financave listën për pagesë të një pjese të stafit të angazhuar në procesin zgjedhor 2017.

Duke u mbështetur në kufizimet buxhetore dhe pamundësinë për të përmbyllur të gjitha pagesat në këtë kohë, njoftojmë se pagesat kanë filluar të realizohen për 1 mijë e 126 persona nga gjithsej 1 mijë e 748 të cilët kishin mbetur pa paguar deri në përfundim të vitit të kaluar.

Pra, transferimi i mjeteve, që pritet të përmbyllet të martën (24 korrik), është bërë në llogaritë aktive të 1 mijë e 126 personave të cilët kanë qenë të angazhuar në komuna të ndryshme të Kosovës si: Komisionerë; Personeli për Raportimin e Rezultateve Preleminare (K-Vote); dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Mjetet janë siguruar nga buxheti i KQZ-së, saktësisht nga projektet të cilat kanë pasur të realizohen në këtë pjesë të dytë të këtij viti.

Gjithashtu, njoftojmë se pagesa për pjesën e mbetur, 622 persona, do të bëhet sapo të sigurohen mjetet e nevojshme dhe për këtë do të informohen me kohë. Pra, këtu përfshihen 455 persona nga Komuna e Klinës dhe 167 të tjerë nga Komuna e Prizrenit.

Duke pasur parasysh se Zgjedhjet Lokale janë mbajtur në fund të vitit të kaluar, disa pagesa për trupat zgjedhore nuk ishte e mundur të realizoheshin brenda vitit 2017.