Prishtinë, 8 mars 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës me rend të ditës për votimin për përjashtimin nga Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Europian (ACEEEO) të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Federatës Ruse dhe Komisionit Qendror të Republikës së Bjellorusisë për Zgjedhjet dhe Mbajtjen e Referendumeve Republikane.

Me votat për të të gjithë anëtrëve të KQZ-së, u vendos që të njoftohet ACEEEO për votimin që institucionet zgjedhore të këtyre dy shteteve të përjashtohen nga të qenit anëtarë të këtij asociacioni.

Po ashtu, në njoftimin që i është përcjellë Sekretariatit të ACEEEO-s, theksohet se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës beson fuqishëm se asociacionet e tilla, sikurse është ACEEEO, nuk mund të mbajnë në radhët e veta institucione që përfaqësojnë shtete që janë kundër vlerave demokratike, prandaj nëse këto dy institucione nuk përjashtohen nga ACEEEO, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës do të tërhiqet nga ky asociacion.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i bashkohet thirrjeve kundër agresionit të Federatës së Rusisë në shtetin e pavarur të Ukrainës dhe solidarizohemi me kolegët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës dhe të gjithë shtetasit ukrainas. Ky agresion rus është një sulm i papranueshëm kundër një shteti të pavarur dhe sovran, por edhe kundër demokracisë dhe liderëve të zgjedhur në mënyrë demokratike nëpërmjet zgjedhjeve.