KQZ vazhdon vizitat nëpër komuna, pritet në takim nga kryetari i Pejës, Muhaxheri, kryetari i Istogut, Ferati dhe kryetari i Deçanit, Ramosaj

05/06/2024

Pejë, Istog dhe Deçan, 5 qershor 2024 – Në ditën e katërt të vizitave për t’u koordinuar dhe bashkëpunuar për zbatimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ qëndroi në disa komuna të Republikës së Kosovës.

Delegacioni i KQZ-së, në përbërje të kryesuesit, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarëve Sami Hamiti, Ibrahim Selmonaj, Gordana Laban, Fazli Stollaj, drejtorit për opeacione zgjedhore, Haki Krasniqi dhe Zyrtarëve Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, Abdurrahim Haxhisefa, Armanda Loshi dhe Fatmir Cacaj, qëndruan në komunën e Pejës, Istogut dhe Deçanit ku u pritën në takime të ndara nga kryetarët, Gazmend Muhaxheri, Ilir Ferati dhe Bashkim Ramosaj.

Gjatë këtyre takimeve u theksua se mbështetja e KQZ-së, respektivisht trupave të saj zgjedhore, siç janë Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në çdo komunë, duke krijuar kushtet dhe hapësirën e nevojshme të punës për funksionimin e tyre, është e domosdoshme dhe ndikonë në cilësinë e proceseve zgjedhore qendrore dhe lokale.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve si dhe hapësira për adaptimin e Qendrave Komunale të Numërimit.

KQZ, në çdo komunë ushtron funksionin zyrtar përmes Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (ZEKKZ). Gjatë periudhës së zgjedhjeve, Zyrtari Ekzekutiv është Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve që themelohet nga përfaqësues të subjekteve politike të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale.

Përveç kësaj, me ligjin e ri KQZ do të themelojë në çdo komunë Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat duhet të vendosen në salla të mëdha apo në palestra sportive dhe që do të shërbejnë, ndër tjerash, edhe për numërimin e fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale.