KQZ përmbyllë organizimin e shtatë tryezave regjionale për pjesëmarrjen e barabartë gjinore në trupat menaxhuese të zgjedhjeve

13/12/2023

13 dhjetor 2023 – Me organizimin e tryezave regjionale për rajonin e Prizrenit, Ferizajt dhe Mitrovicës së Jugut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur organizimin e shtatë tryezave të tilla ku temë kryesore ishte “Pjesëmarrja e barabartë gjinore në trupat menaxhuese të zgjedhjeve”.

Edhe në tri tryezat e fundit, morë pjesë deputetë që përfaqësojnë subjektet politike në Kuvendet Komunale, zyrtarët komunale për barazi gjinore dhe organizatat e shoqërisë civile lokale, të cilat ndihmojnë dhe vëzhgojnë proceset zgjedhore në vendin tonë.

Gjatë muajit nëntor, KQZ organizoi tryeza të ngjashme edhe në regjionet tjera, siç është Prishtina, Gjilani, Gjakova dhe Peja.

Në këto tryeza janë prezantuar gjetjet nga analiza e përbërjes gjinore të trupave menaxhuese të zgjedhjeve, siç janë Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe Këshillat e Vendvotimeve, në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe Zgjedhjet Lokale, të cilat janë mbajtur gjatë vitit 2021.

Po ashtu, në këto tryeza u diskutuan edhe tema lidhur me ndryshimet në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ka hyrë në fuqi në muain korrik të këtij viti.