KQZ miraton listën e Qendrave të Votimit për votimin e 21 prillit në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut

19/03/2024

Prishtinë, 18 mars 2024 – Në mbledhjen e 17-të në këtë vit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën me 44 Qendra të Votimit për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Sipas listës së miratuar nga KQZ, e cila përfshin të dhënat e detajuara për vendndodhjen e saktë të tyre, numri i Qendrave të Votimit në komuën e Leposaviqit është 18, në Zubin Potok 12, në Zveçan 7 dhe në Mitrovicën e Veriut 7.

Për dallim nga proceset e kaluara zgjedhore, ku në çdo Qendër Votimi një Vendvotim shërbente për të mundësuar votimin me kusht, pas hyrjes në fuqi në vitin 2023 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në këto 4 komuna do të hapen vetëm 4 vendvotime me kusht, pra nga një Vendvotim për këtë qëllim në secilën komunë. Adresa e saktë për vendndodhjen e Vendvotimeve me kusht është e publikuar së bashku me listën e Qendrave të Votimit.

Lista e plotë të Qendrave të Votimit në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut mund ta gjeni të pubikuar: KËTU