KQZ merr pjesë në tryezën rajonale “Digjitalizimi i proceseve zgjedhore – Perspektiva mbi sigurinë kibernetike dhe koordinimin ndërinstitucional në të gjithë Ballkanin Perëndimor”

05/07/2023

Tiranë, 5 korrik 2023 – Në Shqipëri po mbahet konferenca dyditore me temën qëndrore “Digjitalizimi i proceseve zgjedhore, perspektivat mbi sigurinë kibernetike dhe koordinimin ndërinstitucional në Ballkanin Perëndimor”, qëllimi i së cilës është shkëmbimi i praktikave midis trupave të menaxhimit të zgjedhjeve dhe agjencive tjera.

Në këtë ngjarje të organizuar nga KQZ e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (IDEA), morën pjesë kryetari i KQZ-së së Kosovës, Kreshnik Radoniqi, drejtori i DTI-së, Kreshnik Spahiu, si dhe përfaqësues të trupave të menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor.

Në prezantimin e tij, kryetari Radoniqi paraqiti progresin e digjitalizimit në procesin zgjedhor në Kosovë, duke përmendur edhe faktin se që nga viti 2012, KQZ e Kosovës përdorë teknologjinë informative për futjen, transmetimin dhe prezantimin e rezultateve preliminare në ditën e zgjedhjeve. “Ky shërbim ka rritur transparencën në publikimin e rezultateve në kohë të shpejtë si dhe ka rritur besimin e qytetarëve, partive politike dhe akterëve të tjerë në procesin zgjedhor”, tha Radoniqi.

Po ashtu, ai përmendi edhe një numër shërbimesh që kryhen nga KQZ-ja, të cilat kanë për qëllim krijimin e lehtësirave për qytetarët me të drejtë vote, siç është ndërrimi i qendrës së votimit duke paraqitur aplikimin përmes telefonit.

Radoniqi foli edhe për hapat që KQZ-ja është duke i ndërmarrë në avancimin e përdorimit të teknologjisë në procesin zgjedhor, siç është zhvillimin i platformës për digjitalizimin e të gjitha operacioneve zgjedhore, përfshirë regjistrimin online për votim jashtë vendit, regjistrimin dhe certifikimin e partive politike, regjistrimin e personave me nevoja të veçanta për votim përmes ekipeve mobile, akreditimin online për vëzhguesit e zgjedhjeve dhe një numër operacionesh të brendshme.

Në fund, ai shtoi se, procesi i digjitalizimit bartë edhe rreziqe pasi kërcënimet janë evidente, prandaj në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për adresimin në kohë të të gjitha çështjeve që paraqiten në këtë proces.