Më 18 dhe 19 maj, dy zyrtaret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mergita Kryeziu dhe Argjina Misini, morën pjesë në punëtorinë e organizuar nga Zyra Regjionale e IFES (Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore) me temën “Rrjeti Rajonal Evropian për fuqizimin e grave në zgjedhje”.

Në këtë punëtori, e cila u mbajtë në Pragë të Republikës së Çekisë, morën pjesë edhe zyrtarë nga trupat menaxhuese të zgjedhjeve nga rreth 20 shtete të ndryshme, në mesin e të cilave nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Moldavia, Lituania, Gjeorgjia, Kazakistani, Hungaria, Letonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Gjatë kësaj punëtorie, pjesëmarrësit diskutuan për tema të shumta që kanë të bëjnë me: gjendjen aktuale të grave në administratën e zgjedhjeve; sfidat kryesore të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve, e të tjera.  

Po ashtu, në këtë trajnim u prezantuan praktikat më të mira të përfshirjes së grave në zgjedhje dhe në organet për administrimin e zgjedhjeve.