KQZ-ja vëzhgoi zgjedhjet parlamentare në Republikën e Letonisë

10/10/2022

Letoni, tetor 2022 – Një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i përbërë nga anëtarë dhe zyrtarë të KQZ-së, mori pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Letonisë.

Gjatë qëndrimit në Letoni, ekipi i KQZ-së vëzhgoi nga afër procesin e votimit të hershëm apo të parakohshëm në një qendër votimi si dhe mori pjesë në ligjëratat për vëzhguesit të cilët u njoftuan lidhur me sistemin zgjedhor në Republikën e Letonisë.

Në ditën e zgjedhjeve, të shtunën, ekipi i KQZ-së qëndroi në disa qendra votimi. Fillimisht, KQZ vëzhgoi nga afër procesin e hapjes së qëndrave të votimit dhe gjatë ditës edhe zhvillimin e votimit. Në mbrëmje, anëtarët e KQZ-së përcollën edhe mbylljen e qendrave të votimit dhe procesin e numërimit të votave.

Delegacioni i KQZ-së që mori pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve të 14-ta me radhë për Kuvendin e Republikës së Letonisë ishte në përbërje të anëtarëve të KQZ-së: Sami Hamiti, Arianit Elshani, Ibrahim Selmonaj dhe zyrtarëve tjerë, Kreshnik Spahiu, Nexhmedin Hyseni dhe Valbona Kida.