KQZ-ja shtyn afatin për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve deri më 25 nëntor

21/11/2022

Prishtinë, 21 nëntor 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti në mënyrë elektronike mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryetari, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor është shtyrë deri më 25 nëntor 2022.

Rrjedhimisht, është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga 26 nëntori deri më 28 nëntor 2022.

Po ashtu, KQZ-ja ka ndryshuar edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor 2022.

Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike ka filluar më 15 nëntor dhe deri tani më 21 nëntor, KQZ-ja ka pranuar dy aplikime. Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme si dhe ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa subjekti tjetër politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.