KQZ-ja e Republikës së Kosovës mbështet iniciativën për themelimin e Asociacionit Pan-Europian të Zgjedhjeve

06/07/2022

Prishtinë, 6 korrik 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë mbështetje njëzëri iniciativës për themelimin e Asociacionit Pan-Europian të Zgjedhjeve.

Organizata e re që do të themelohet, pritet të përfshijë institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve të shteteve të ndryshme nga Europa dhe organizata të tjera zgjedhore, që për mision do ta ketë promovimin e demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të drejta.

Në këtë drejtim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur më 6 korrik 2022 i ka dhënë mbështetje letrës së qëllimit për themelimin e Asociacionit Pan-Europian të Zgjedhjeve, që planifikohet të ndodhë në vjeshtën e vitit 2022.

“… një organizatë e tillë synon gjithashtu të promovojë demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo kërkon dialog dhe solidaritet ndërmjet zyrtarëve zgjedhorë që punojnë në demokraci të vendosura mirë dhe në zhvillim. Organizata e re do të krijohet nga anëtarë që ndajnë vlerat thelbësore, por edhe vendet që dëshirojnë të përmirësojnë sistemin e tyre politik dhe zgjedhjet nuk duhet të pengohen, por duhet të inkurajohen ta bëjnë këtë”, thuhet ndër tjerash në letrën e qëllimit.

Kjo nismë vjen pas shpërbërjes në mars 2022 të Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhor Europian (ACEEEO) pas agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë dhe e mbështetur nga Bjellorusia. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës ishte bashkuar me institucionet e zgjedhjeve duke u tërhequr nga ky asociacion, pasi kishte dështuar votimi për përjashtimin e Trupave Menaxhuese të Zgjedhjeve të Federatës Ruse dhe Republikës së Bjellorusisë, sepse nuk kishin votuar të gjithë anëtarët instituiconalë, duke pamundësuar arritjen e 2/3 të votave të domosdoshme për këtë.

Themelimi i organizatës së re u diskutua gjatë Samitit për Demokraci Zgjedhore – Forumi Rajonal Europian, i cili u mbajt në Budapest të Hungarisë, në muajin qershor të këtij viti. Në këtë ngjarje, morën pjesë përfaqësues të institucioneve të zgjedhjeve nga shtete të ndryshme dhe organizata të specializuara në fushën e zgjedhjeve, ndërsa KQZ e Kosovës u përfaqësua nga Kryetari, Kreshnik Radoniqi dhe Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ-së, Burim Ahmetaj.