KQZ-ja certifikon listën votuese brenda dhe jashtë vendit
Prishtinë, 2 shkurt 2021 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë vendit.
Lista përfundimtare e votuesve brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 14 shkurt, përmban: 1 milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve. Pra, në këto zgjedhje janë 143 mijë e 6 votues më pak se në Zgjedhjet për Kuvend të 6 tetorit 2019, pasi nga kjo listë janë larguar 122 mijë e 421 votues të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u, si dhe për shkak të largimit të 11 mijë e 86 të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes.
Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë vendin është 888 me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.
Po ashtu, sipas listës përfundimtare të certifikuar u bë e ditur edhe për të dhënat e votuesve nga jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar suksesshëm gjatë periudhës së aplikimit (13 – 21 janar).
Gjatë periudhës së aplikimit KQZ-ja ka pranuar gjithsej 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim. Pas vlerësimit të aplikacioneve janë aprovuar 102 mijë e 100 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 28 mijë e 68 aplikacione. Arsyet e refuzimit janë të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre, 15 mijë e 933 aplikues janë refuzuar për shkak se kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11 mijë e 164 aplikues janë refuzuar për shkak se nuk i kanë dëshmuar ose identitetin ose kriterin e zotësisë juridike dhe ose aplikacionet për regjistrim kanë qenë të panënshkruar.