Konferenca e tretë: Pjesëmarrja në votime deri në orën 15 është 29.76% në Podujevë dhe 30.3% në Mitrovicë të Veriut

29/11/2020

Prishtinë, 29 nëntor 2020 – 15:30 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë në Ditën e Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka njoftoi se “procesi zgjedhor në këto dy komuna është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur deri më tani ndonjë njoftim për parregullësi gjatë votimit”.

Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 15:00 kanë votuar 29.76% e votuesve apo 26 mijë votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 26 mijë e 37 votues apo 31%.

Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve apo 7 mijë e 62 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 6 mijë e 275 votues apo 29%.