Konferenca e katërt, KQZ: Mbyllen qendrat e votimit në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Lespoaviq dhe Zubin Potok

23/04/2023

Prishtinë, 23 prill 2023, 19:30 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e katërt në Ditën e Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq.

Në këtë konferencë, Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi bëri të ditur se në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në këto katër komuna dhe se procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë problem.

Ai njoftoi edhe për pjesëmarrjen e votuesve në këto zgjedhje, si në vazhdim: Në komunën e Leposaviqit votuan 141 votues (1.06%), në komunën e Zubin Potokut 385 votues (5.78%), në Zveçan 204 votues (2.92%) dhe në Mitrovicën e Veriut 837 votues (4.62%).

Kryetari i KQZ-së përsëriti edhe një herë se KQZ u ka ofruar mundësinë dhe kushtet të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe institucionet demokratike.

Në emër të KQZ-së, ai falënderoi Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, si dhe institucionet tjera, për angazhimin dhe rolin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, e poashtu edhe mediat për punën e tyre në informim gjatë ditës së zgjedhjeve.