ACEEEO shpërbëhet në heshtje, KQZ-ja e Kosovës votoi për përjashtimin e institucioneve të zgjedhjeve të Rusisë dhe Bjellorusisë

10/03/2022

Prishtinë, 10 mars 2022 – Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Europian (ACEEEO), i themeluar në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, është shpërbërë në heshtje.

Kjo ka ndodhur për shkak të dështimit për të votuar për përjashtimin e Trupave Menaxhuese të Zgjedhjeve të Federatës Rusë dhe Republikës së Bjellorurisë. Përjashtimi nga ACEEEO, sipas statutit, bëhet më 2/3 e votave, por kjo nuk është arritur gjatë procesit të votimit, pasi nuk kanë votuar të gjithë anëtarët instituiconalë.

Më 7 mars 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës ka votuar për përjashtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Federatës Ruse dhe Komisionit Qendror të Republikës së Bjellorusisë për Zgjedhjet dhe Mbajtjen e Referendumeve Republikane nga Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Europian (ACEEEO). Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës ka njoftuar këtë asociacion se nëse këto dy institucione nuk përjashtohen do të tërhiqet nga ACEEEO, pasi beson fuqishëm se asociacionet e tilla, sikurse është ACEEEO, nuk mund të mbajnë në radhët e veta institucione që përfaqësojnë shtete që janë kundër vlerave demokratike.

Në deklaratën e KQZ-së, dërguar Sekretariatit të ACEEEO-s, është theksuar se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i bashkohet thirrjeve kundër agresionit të Federatës së Rusisë në shtetin e pavarur të Ukrainës dhe solidarizohemi me kolegët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës dhe të gjithë shtetasit ukrainas. Ky agresion rus është një sulm i papranueshëm kundër një shteti të pavarur dhe sovran, por edhe kundër demokracisë dhe liderëve të zgjedhur në mënyrë demokratike nëpërmjet zgjedhjeve”.

ACEEEO ishte themeluar në fillim të viteve 90’ta të shekullit të kaluar, pas rënies së komunizmit, me qëllimin e qartë për të forcuar institucionet zgjedhore demokratike dhe për të promovuar procese dhe procedura të shëndosha demokratike mes anëtarëve të saj dhe të tjerëve të përfshirë në procesin zgjedhor. ACEEEO përbëhej nga anëtarët instituiconalë, pra institucione që merren me menaxhimin e zgjedhjeve dhe referendumeve. ACEEEO kishte në përbërje 25 anëtarë institucionalë, pra 25 shtete të ndryshme, ku bënte pjesë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i cili ishte anëtarësuar me të drejta të plota në shtator të vitit 2016.