KQZ-ja mori pjesë në takimin e grupit punues për Europën dhe Euroazinë mbi Mediat Sociale, Dezinformimin dhe Integritetin Elektoral (SMEID)
Pragë, maj 2023 – Një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i përbërë nga anëtarët Alban Krasniqi e Arianit Elshani dhe nga Zëdhënësi i institucionit, Valmir Elezi, morën pjesë në takimin e organizuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), e cili u mbajtë në Pragë të Çekisë.
Në këtë takim, i pesti me radhë i Grupit Punues për Europën dhe Euroazinë mbi Media Sociale, Dezinformimin dhe Integritetin Elektoral (SMEID), ishin prezentë përfaqësues të institucioneve zgjedhore nga 10 shtete.
Gjatë kësaj takimi, u prezantuan praktika dhe përvoja të Trupave Menaxhuese të Zgjedhjeve për kërcënimet për integritetin e procesit zgjedhor, të cilat vijnë nga dezinformimi dhe u ofruan ide për të reaguar në raste të tilla.
Në vazhdim, nga IFES u prezantua edhe për mënyrën e komunikimit që institucionet e zgjedhjeve duhet ta ndjekin gjatë ballafaqimit me dezinformimin. Me këtë rast u prezantua edhe një plan veprimi (Playbook) i përgatitur nga IFES, si një mjet për të qenë të përgatitur për rrethana të papritura që ndërlidhen me fushën.
Përfaqësues të institucioneve kishin mundësinë të diskutonin dhe të prezantonin idetë e tyre lidhur me rëndësinë e zhvillimit të kësaj fushe.
Pas kësaj ngjarjeje, zyrtarët e KQZ-së kanë biseduar më gjerësisht me zyrtarët e Zyrës Regjionale të IFES-it në Pragë lidhur me mundësitë e mbështetjes nga ky fondacion në fushën e përgatitjes kundër dezinformimit si dhe për thellimin e bashkëpunimit përmes programeve të ndryshme në ngritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimit të përvojave.
Përveç kësaj ngjarjeje, delegacioni i KQZ-ja janë pritur në takim edhe nga ambsadorja e Republikës së Kosovës në Republikën e Çekisë, Albesjana Iberhysaj.
Fotot nga punëtoria e mbajtur në Pragë janë realizuar nga IFES.