SAMI KURTESHI

Anëtar i KQZ-së

Sami Kurteshi u lind më 5 qershor 1960 në Gjilan. Shkollën fillore dhe gjimnazin – shkenca natyrore i kreu në Gjilan. Në periudhën 1978-1981 ka studiuar në fakultetin Teknik, dega e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës. Pas demonstratave gjithëpopullore në Kosovë të vitit 1981, pasi ndiqet nga regjimi jugosllav, është larguar nga Kosova.

Në vitin 1983 regjistrohet për vazhdimin e studimeve në ETH në Cyrih të Zvicrës. Në tetor të vitit 1983, në Beograd është burgosur nga regjimi Jugosllav bashkë me Zijah Shemsiun gjatë kthimit në Kosovë, si pasojë e veprimtarisë së politike. Është liruar nga burgu në dhjetor 1990.

Pas lirimit nga burgu, në periudhën 1991 – 1996 ka vazhduar veprimtarinë si anëtar i Kryesisë e më vonë si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ në Prishtinë. Në periudhën 1992-1996 përfaqësuar KMDLNJ në Komisionin dhe Nën-Komisionin e të Drejtave të Njeriut dhe në Komitetin për Eliminimin e Diskriminimit Racial (CERD) pranë OKB-së në Gjenevë, dhe ka qenë autor dhe bashkë-autor i rezolutave të Komisionit dhe Nënkomisionit të OKB për Kosovën.

Për shkak të veprimtarisë në KMDLNJ, në vitin 1996 ndiqet sërish nga pushteti serb-jugosllav dhe largohet në Zvicër. Në vitin 1998 i fillon studimet në Universitetin e Bernës, të cilat i përfundon në Universitetin e Cyrihut në politologji, sociologji dhe të drejtën ndërkombëtare.

Në periudhën prej 1997-2001 a punuar në institucione të ndryshme në Zvicër, si bashkëpunëtor i Organizatës Zvicerane për Refugjatë (Schweizerische Flüchtlingshilfe SFH). Kontribues i televizionit shtetëror zviceran SF1. Gjatë viteve 1999-2005 ishte bashkëpunëtor dhe udhëheqës i kurseve të ndryshme profesionale për bashkëpunëtorët e Organizatës Zvicerane për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatë: HEKS, SAH dhe SRK. Nga viti 2003 ishte ligjërues privat në Qendrën Zvicerane për Edukim të personelit të burgjeve në Zvicër (Schweizerische Ausbildungszentrum fuer das Strafvollzugspersonal – SAZ) në Friburg.

Pas kthimit në Kosovë, në periudhën Qershor 2009 – Korrik 2015 është zgjedhur nga Kuvendi si Avokat i Popullit i Republikës së Kosovës. Nga fundviti 2015 është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në periudhën 2017-2019 ishte deputet në legjislaturën e VI të Parlamentit të Republikës së Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Sami Kurteshi është autor, bashkë-autor dhe botues i disa publikimeve, analizave dhe raporteve të ndryshme. Ai përktheu dhe botoi dy libra në gjuhë të ndryshme (gjermanisht-shqip dhe anasjelltas). Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka tre fëmijë.