KQZ dërgon në ATK raportet e auditimit të partive politike të viteve 2018, 2019 dhe 2020

17/03/2022

Prishtinë, 17 mars 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 11-të të kryesuar nga Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për dërgimin në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) të raporteve të auditimit të partive politike, të cilat u takojnë viteve 2018, 2019 dhe 2020.

Ky vendim i KQZ-së u mor pas rekomandimit nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC), e cila, pas përfundimit të procesit të auditimit, ka pranuar kopjet e këtyre raporteve si dhe ka identifikuar shkeljet në mënyrë që të përgatiten rekomandimet për shqiqptimin e gjobave ndaj tyre ashtu siç kërkohet me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike.

Po sipas këtij ligj, këto raporte janë dërguar më herët edhe në Agjencinë Anti-Korrupsion të Kosovës, e cila sipas mandatit të saj mund të ekzaminojë këto raporte.

Gjatë procesit të auditimit të këtyre raporteve janë identifikuar një numër i shkeljeve në fushë ne tatimeve, siç janë mospagesa e tatimit në paga, mospagesa e tatimit në qira, etj.