KQZ vazhdon vizitat nëpër komuna, pritet në takim nga kryetari i Skenderajt, Nura dhe nënkryetari i Drenasit, Shala
Skenderaj dhe Drenas, 4 qershor 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi takimet e radhës me kryetarë të komunave për t’u koordinuar dhe bashkëpunuar në zbatimin e Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2023.
Delegacioni i KQZ-së, në përbërje të anëtarëve Ilir Gashi, Ibrahim Selmonaj, drejtorit të SKQZ-së, Burim Ahmetaj dhe Zyrtarëve Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve për Skenderaj dhe Drenas, Fisnik Polaci e Burim Jonuzi, qëndruan në komunën e Skenderajt, ku u pritën në takim nga kryetari, Fadil Nura dhe në komunën e Drenasit, ku takuan nënkryetarin, Arben Shala, me bashkëpunëtorët e tyre.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua për mbështetjen e KQZ-së në ushtrimin e funksioneve, respektivisht të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto komuna dhe për bashkëpunimin e domosdoshëm me qëllim të zbatimit të përgjegjësive tjera ligjore të Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve si dhe hapësira për adaptimin e Qendrave Komunale të Numërimit.
KQZ, në çdo komunë ushtron funksionin zyrtar përmes Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (ZEKKZ). Gjatë periudhës së zgjedhjeve, Zyrtari Ekzekutiv është Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve që themelohet nga përfaqësues të subjekteve politike të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale.
Përveç kësaj, me ligjin e ri KQZ do të themelojë në çdo komunë Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat duhet të vendosen në salla të mëdha apo në palestra sportive dhe që do të shërbejnë, ndër tjerash, edhe për numërimin e fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale.