KQZ vendos të rinumërohen 23 vendvotime

22/10/2021

 

Prishtinë, 21 tetor 2021 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për rinumërimin e 23 vendovtimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës.

Procesi i rinumërimit të këtyre vendvotimeve është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve edhe në prezencën e vëzhguesve.

Sipas vendimit të KQZ-së, 8 vendvotime i takojnë Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave nga këto komuna: Kaçanik (1 vendvotim), Klinë (1), Mitrovicë e Jugut (1), Podujevë (1), Prishtinë (2), Prizren (1) dhe Skënderaj (1).

Po sipas vendimit të KQZ-së, 15 vendvotimet tjera i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale nga këto komuna: Mitrovicë e Jugut (1 vendvotim), Novobërdë (1), Podujevë (1), Prishtinë (4), Prizren (4), Skënderaj (3) dhe Ferizaj (1).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori këtë vendim pas rekomandimit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku është vërejtur se gjatë pranimit të materialit zgjedhor këto vendvotime nuk kanë mundur të pranohen si të rregullta. Në disa prej këtyre vendvotimeve formularët e rezultateve kanë qenë të paplotësuara ose pjesërisht të plotësuara dhe në disa raste mungojnë nënshkrimet e anëtarëve të këshillit të vendvotimit, prandaj duhet të bëhet rinumërimi në mënyrë që të saktësohet gjendja brenda kutive të votimit.