KQZ-ja shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve, prezantohet dokumenti: “Trendet zgjedhore në Republikën e Kosovës, 2009 – 2021”
Prishitnë, 2 shkurt 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënoi për të dhjetën herë me radhë “Ditën Globale të Zgjedhjeve”.
Aktiviteti kryesor u organizua në Prishtinë, me treyezën për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe rolin e institucioneve të Kosovës, ku pjesë e panelit ishin Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, Drejtoresha për Demokratizim të OSBE-së në Kosovë, Pascale Roussy dhe Eugen Cakolli nga rrjeti i OJQ-ve që vëzhgojnë zgjedhjet në Kosovë “Demokracia në Veprim”.
Para diskutimit nga ana e panelistëve, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi prezantoi dokumentin “Trendet zgjedhore në Republikën e Kosovës, 2009 – 2021”, i cili ofron të dhëna të detajuara për më shumë se një dekadë të proceseve zgjedhore. Të dhënat e analizuara në këtë dokument u takojnë 5 proceseve zgjedhore për Kuvendn e Republikës së Kosovës (2010; 2014; 2017; 2019 dhe 2021) dhe 4 proceseve zgjedhore lokale për Kuvendet Komunale (2009; 2013; 2017 dhe 2021).
Duke folur për këtë dokument, Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u shpreh se KQZ-ja i kushton vëmendje të madhe publikimeve, të cilat iu shërbejnë palëve të tjera, si partive politike, studiuesve, mediave, shoqërisë civile dhe vëzhguesve të zgjedhjeve.
Përveç kësaj, Radoniqi foli edhe për dy angazhime të mëdha aktuale të KQZ-së, që kanë të bëjnë me hartimin e planit të ri strategjik të KQZ-së për periudhën 2023 – 2024, për të cilin tha se është në përfundim e sipër, si dhe për angazhimin në procesin e reformës zgjedhore.
“KQZ-ja është bërë pjesë aktive e procesit të reformës zgjedhore që po udhëhiqet nga Kuvendi i Kosovës, përmes komisionit ad-hoc. Deri më tani kemi marrë pjesë në disa takime me anëtarët/deputetët e këtij komisioni si dhe kemi prezantuar rreth 50 rekomandime të cilat konsiderojmë se do t’i shërbenin përmirësimit të hapësirës ligjore në organizimin e zgjedhjeve. Jemi shumë optimist, edhe nga bashkëpunimi i deritashëm që kemi pasur me deputetët e Kuvendit të Kosovës që janë pjesë e këtij komisioni, se do të merren parasysh propozimet tona”, tha Radoniqi.
Në këtë aktivitet të organizuar ishin present edhe përfaqësues të subjekteve politike dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilat merren me zgjedhjet.