KQZ heton 255 vendvotime të Zgjedhjeve për Kuvende Komunale

24/10/2021

Prishtinë, 24 tetor 2021 – Me qëllim të saktësisë së procesit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar një procedurë të veçantë për të hetuar një numër të caktuar vendvotimet.

KQZ do të hetojë 10% të vendvotimeve të çdo komunë që i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale.

Këto vendvotime që do të hetohen, e që në total janë 255 vendvotime, janë përzgjedhur rastësisht dhe që gjatë pranimit të materialit të tyre nuk është vërejtur ndonjë parregullësi.

Hetimi i tyre ka për qëllim që të vërtetojë nëse këshilli i vendvotimti ka bartur në mënyrë të saktë rezultatin/votat nga Fleta Llogaritëse e Kandidatëve në Formularin e Rezulatit të Kandidatëve. Fleta Llogaritëse e Kandidatëve, është një fletë pune ku regjistrohen votat e kandidatëve gjatë numërimit, para se ato të barten në Formularin e Rezultatit të Kandidatëve.

Sipas procedurës, nëse nga hetimi rezulton se ka ndryshime dhe votat nuk janë bartur në mënyrë të saktë, atëherë pas vendimit të KQZ-së do të hapet kutia e votimit për ta saktësuar gjendjen.