Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 23 prillit, 20 – 27 mars 2023
Prishtinë, 20 mars 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 20 mars ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok si dhe për për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill. Afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më 27 mars 2023.
Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë.
Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për votuesit > Votimi përmes postës) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj, pas regjistrimit, të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 8 prill dhe përfundon më 21 prill 2023.