Dita Globale e Zgjedhjeve në Kosovë – diskutohet për “Transparencën në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve”
Prishtinë, 3 shkurt 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është bashkuar trupave menaxhuese të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës për të shënuar Ditën Globale të Zgjedhjeve.
KQZ-ja organizoi tryezë me përfaqësues të institucioneve që në faza të ndryshme të procesit zgjedhor luajnë rol të rëndësishëm, siç janë: Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Po ashtu, pjesë e kësaj tryeze ishin edhe përfaqësues të orgaizatave të ndryshme nga shoqëria civile, si: Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, “ÇOHU”, “D4D” dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.
Tema kryesore për të cilën diskutuan pjesëmarrësit ishte: “Transparanca në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se angazhimi i përbashkët institucional ka për qëllim që të garantohet integriteti dhe besueshmëria e zgjedhjeve. “Pa dyshim se transparenca e një institucioni që merret me organizimin e zgjedhjeve mbetet thelbësore në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe akterëve të tjerë në një proces zgjedhor. Ky mbetet vizioni kryesor i KQZ-së”, tha Radoniqi.
Përveç bashkëpunimit të vazhdueshëm me mediat me qëlllim që publiku të njoftohet në vazhdimësi për aktivitetet zgjedhore, Radoniqi përmendi edhe disa veprime që janë ndërmarrë nga KQZ-ja, e të cilat i shërbejnë transparencës dhe besueshmërisë së qytetarëve në procese zgjedhore.
“Prej disa vitesh, KQZ-ja publikon raportet financiare vjetore dhe raportet e fushatave zgjedhore të subjekteve politike, edhe kur ato janë të paaudituara. Kjo mbështetet në respektim të parimit të transparencës në raport me publikun”, tha ai, ndërsa shtoi se “Prej disa proceseve zgjedhore, KQZ-ja publikon formularët e skenuar të rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve të cilët plotësohen në vendvotime. Kjo bënë të mundur që kandidatët dhe të interesuarit e tjerë të shohin se si janë plotësuar këto dokumente të rëndësishme në çdo vendvotim”.
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhjet nga Prokurori i Shtetit, Laura Pula shpalosi për hapat e ndërmarrë nga ky instituicon për transparencë gjatë proceseve zgjedhore. “Kemi filluar me promo të ndryshme televizive, komunikata për media, konferenca për media, me qëllimin e vetëm që opinioni publik të njoftohet për punën tonë gjatë procesit zgjedhor”, tha ajo, e cila falënderoi mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin.
Majori nga Policia e Kosovës, Vllaznim Surdulli tha se në zgjedhjet e organizuara vitin e kaluar, 2021, “Policia e Kosovës ka arritur për herë të parë të bëjë de-policizimin e zgjedhjev, që do të thotë prania policore afër qendrave të votimit dhe në terren të bie nën numrin e mëhershëm. Kjo ka ardhë si meritë e ngritjes së vetëdijes së qytetarëve dhe të partive politike në raport me zgjedhjet. Ne pretendojmë që edhe në të ardhmen prezenca policore në qendra të votimit të zvogëlohet sërish”.
Kryeshefi i Sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku tha se: “Ky institucion ka informuar vazhdimisht akterët e zgjedhjeve, publikun dhe mediat me të gjitha informacionet e nevojshme për rolin, veprimtarinë dhe mandatin e PZAP-it”, ndërsa shtoi se vëmendje i është dhënë edhe detajeve të tjera se si dhe kush mund të parashtrojnë ankesë dhe afatet e përcaktuara me ligj.
Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës bëri të ditur se në çdo proces zgjedhor caktohen gjyqtarët kujdestarë, të cilët i përgjigjen pa vonesë kërkesave që dalin. Duke folur për transparencën e KGjK-së në lidhje me lëndët që kanë të bëjnë me zgjedhjet, ajo bëri të ditur se “kjo bëhet e mundur përmes seancave publike të hapura, në të cilat mund të jenë prezentë monitoruesit dhe mediat, si dhe duke publikuar aktgjykimet në ueb faqen e Këshillit”.
Anëtari i KQZ-së, Alim Rama tha se KQZ-ja ka nevojë për përmirësime në aspektin e transparencë. “Një vërejtje që është cekur për herë të parë sivjet ka qenë mungesa ose vonesa në shpalljen ose publikimin e vendimeve të KQZ-së. Një element tjetër që është shumë me rëndësi është transparenca në publikimin e rezultateve preliminare posaqërisht për kandidatë. Kjo është një vërejtje që ceket vazhdimisht nga raportet e BE-së dhe besoj që neve si KQZ na mbetet shumë punë, besoj që nuk kemi zgjedhje për dy-tre vjetët e ardhshme kështu që na mbetet punë qe të përmirësojmë dhe rregullojmë sistemin e publikimit”, ka thënë ai.
Anëtari i KQZ-së, Fazli Stollaj u shpreh se zgjedhjet janë shtyllë bazë e çdo demokracie. “Kosova, fatmirësisht, bënë pjesë në ato vende që janë të interesuara për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike. Parimet e zgjedhjeve të lira janë të shpërndara mirë në aktet më të lartë që e rregullojnë fushën e zgjedhjeve, ndërsa në anën tjetër, transparenca në zgjedhje e bartësve që janë përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve eleminon të gjithë dyshimet e dilemat dhe kjo është një e mirë që edhe rezultatet pranohen nga të gjithë akterët që marrin pjesë”, tha Stollaj.
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i cili foli në emër të Koalicionit të OJQ-ve që vëzhgojnë zgjedhjet “Demokracia në Veprim”, tha se tani është momentum më i mirë për të filluar reformën zgjedhore, duke shtuar se sfidat që kanë përcjellë proceset zgjedhore në Kosovë duhet të adresohen përmes një reforme zgjedhore të organizuar nga partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës. “Ne u bëjmë thirrje këtyre institucioneve që është momentumi më i mirë politik duke pasur parasysh që ne i kemi përfunduar dy palë zgjedhje në vitin e kaluar dhe vlerësojmë që deri në kalendarin zgjedhor së paku edhe për tre vite nuk duhet të ketë zgjedhje, atëherë do te ishte momentumi më i mirë politik që të fillojmë me reformë zgjedhore e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe mos të merr vetëm segmente të caktuara të cilat mund të shkojnë në favor te një subjekti politik”, tha Kryeziu.
Drejtori i Organizatës “ÇOHU”, Artan Demhasaj, poashtu përmendi nevojën për reformën zgjedhore, por edhe çështjen e financimit të partive politike. “Mendoj që është ABC-ja e demokracisë dhe zgjedhjeve është çështja e financimit të partive politike dhe më tepër se si partitë politike i deklarojnë dhe nga i marrin financat dhe mënyrën se si i shpenzojnë. Nëse partitë politike në esencë nuk janë transparente në mënyrën se si financohen dhe mënyrën se si i shpenzojnë ato financa që i kanë atëherë qysh mund të presim që ato kur te vijnë në pushtet kanë me qenë transparente në menaxhim të buxhetit të shtetit apo te komunave të caktuara”, tha Demhasaj.
Drejtoresha Ekzekutive nga “D4D”, Rezarta Delibashzade – Krasniqi tha se: “Demokracia për Zhvillim që nga viti 2014 është inicuese e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet gjashtë institucioneve KQZ – PK – PSh – PZAP – KGjK – KPM dhe falë bashkëpunimit të mirë të institucioneve ndër vite dhe gjithashtu edhe stafit të tyre mbështetës, kemi arritur që të kemi zgjedhje mjaftë të mira dhe transparente, që theksohet në raporte ndërkombëtare dhe vendore”, tha ajo, duke shtuar se kjo është koha më e mirë për të filluar procesi i reformës zgjedhore.
Drejtoresha Ekzekutive e Qendres Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Humolli tha se duhet të përgatitemi për një reform zgjedhore. “Në reformë zgjedhore ne duhet të hyjmë edhe me një analizë më të detajuar, duke i pranuar disa mangësi, të cilat ne si shtet i kemi, sidomos sa i përket mos-zbatimit të ligjeve tjera, e në këtë rast ligjit për barazi gjinore. KQZ-ja duhet ta pranojë që nuk zbatoi ligjin për barazi gjinore dhe duhet ta bëjë një analizë paraprake, para reformës, se si të përfshijë këtë ligj dhe si të jetë më e respektueshme në këtë dimension, dhe si të përfshijë një perspektivë gjinore më të mirë në ligjin e ri për zgjedhjet”, tha Humolli.
Prej vitit 2013, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve me aktivitete të ndryshme.