KQZ mban trajnimin për përfaqësues të subjekteve politike për aplikimin online për certifikim në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës

01/12/2024

Prishtinë, 29 nëntor dhe 1 dhjetor 2024 – Për dy ditë radhazi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur programin e trajnimit për përfaqësuesit e partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës, të cilët u informuan nga afër për mënyrën e funksionimit të platformës elektronike: https://certifikimi.kqz-ks.org/.

Kjo platformë është funksionalizuar nga KQZ në kuadër të digjitalizimit të operacioneve zgjedhore dhe do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre për certifikim dhe të listës së kandidatëve për deputetë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Gjatë trajnimit, përfaqësuesit e subjekteve politike u informuan për platformën e re digjitale dhe mënyrën se si mund të dorëzojnë aplikimin e tyre përmes saj, duke shmangur mënyrën e vjetër të dorëzimit në kopje fizike të aplikimeve të tyre.

Deri më tani, të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës dhe koalicioneve të deklaruara, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) u ka krijuar dhe dërguar ‘Userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve për deputetë.

Gjithashtu, KQZ, përmes Zyrës do të krijojë ‘Userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.

Me qëllim që subjekteve politike (partive politike, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur) t’iu ndihmohet në përdorimin e platformës, nëse kanë nevojë, Zyra ka vënë në dispozicion dy tavolina ndihmëse dhe këtë numër kontakti 038 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, ka filluar më 1 shtator dhe do të përfundojë më 11dhjetor 2024, në orën 16:00.

Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për certifikim të subjekteve politike janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për subjekte politike > Certifikimi i subjekteve politike) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/certifikimi-i-subjekteve-politike/