Njoftim nga takimi me Shoqatën e të Verbëve të Kosovës
Prishtinë, 4 nëntor 2024 – Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me zhvillimin e takimeve të ndryshme, përmes së cilave synohet që të sigurohet proces zgjedhor i barabartë dhe gjithpërfshirës.
Gjatë ditës së hënë, zyrtarë të KQZ-së u takuan me kryetarin e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, me të cilin diskutuan për qasjen e votuesve të verbër në Qendrat e Votimit dhe për krijimin e materialeve informuese për personat e verbër dhe me të pamur të dobësuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mundëson votimin të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që janë të verbër dhe me të pamur të dobësuar. Votimi në mënyrë të pavarur dhe duke ruajtur fshehtësinë e votës edhe për këtë kategori, mundësohet përmes shabllonëve në shkrimin e Brailit.
Modeli në shkrimin e Brailit, të cilët shtypen në mënyrë të tillë që fletëvotimi të vendoset në të, do të dërgohen në çdo Qendër Votimi në ditën e zgjedhjeve për të mundësuar votimin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nga viti 2009 u mundëson të gjithë qytetarëve me të drejtë vote nga kjo kategori votim të pavarur dhe të fshehtë dhe është shprehje e përkushtimit të institucionit tonë që të gjithë qytetarëve t’u ofrojë shërbime sipas nevojave të tyre.