Njoftim nga mbledhja e 24-të

13/04/2024

Prishtinë, 13 prill 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 24-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi, në të cilën u morën disa vendime lidhur me përgatitjet për procesin e votimit për votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, i cili do të mbahet më 21 prill 2024.

Në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për akreditimin e grupit të dytë prej 112 vëzhguesve, të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin e votimit më 21 prill dhe procedurat tjera deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar. Numri i vëzhguesve të akredituar deri më tani nga KQZ është 130, të cilët përfaqësojnë media, organizata jo-qeveritare vendore dhe përfaqësi diplomatike në Kosovë.

Afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të kryetarëve aktual, OJQ-ve vendore/ndërkombëtare dhe mediave do të përfundojë më 15 prill 2024. Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për akreditim janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Subjete Politike > Shërbimet për OJQ dhe Media.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e procedurave të votimit dhe formave zgjedhore për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut si dhe të formave zgjedhore.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për emërimin e rreth 280 anëtarëve të 73 Këshillave të Vendvotimeve që u takojnë 44 Qendrave të Votimit për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike. Ky numër mund të plotësohet gjatë ditëve në vijim.

 Gjithashtu, në këtë mbledhje KQZ mori vendim për numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për procesin e votimit më 21 prill në katër komunat. Bazuar në Listën e Votuesve, numri i votuesve në këto komuna është 46,556, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 40,000 fletëvotime, pra 6,556 apo 14.1% fletëvotime më pak se votues. Kjo praktikë e shtypjes më pak fletëvotime se numri i votuesve është ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.