Njoftim nga mbledhja e 17-të: KQZ miraton Listën Preliminare të Votuesve për votimin e 21 prillit në 4 komuna dhe emërimi i anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve

18/03/2024

Prishtinë, 18 mars 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 17-të për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të mbledhjes, u prezantua një raport lidhur me përgatitjet për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Me qëllim të funksionalizimit Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, janë caktuar Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së. Lidhur me këtë, në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për emërimin e rreth 20 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, por që mund të plotësohet gjatë ditëve në vazhdim. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ miratoi raportin jopërfundimtar të Listës së Votuesve për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Sipas këtij raporti, numri jopërfundimtar i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 46,248 votues apo 1,153 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar Komune të cilat janë mbajtur më 23 prill 2023, ndërsa numri i përgjithshëm i Qendrave të Votimit është 44.

LISTA JOPËRFUNDIMTARE E VOTUESVE DHE NUMRI I QENDRAVE TË VOTIMIT

NË KATËR KOMUNAT

Numri i votuesve

2023

Numri i votuesve

2024

Dallimi Qendrat

e Votimit

LEPOSAVIQ 13,318 13,639 +321 18
ZUBIN POTOK 6,661 6,862 +201 12
ZVEÇAN 6,998 7,201 +203 7
MITROVICË E VERIUT 18,118 18,546 +428 7
Gjithsej 45,095 46,248 +1,153 44