Njoftim nga mbledhja e 10-të e KQZ-së

01/03/2024

Prishtinë, 01 mars 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 10-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

  • Në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për regjistrimin e partisë politike Srpski Narodni Pokret (SNP).

Më 31.01.2024, iniciativa politike e cila udhëhiqet nga z. Milija Biševac, ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim, duke i bashkangjitur dokumentet e kërkuara sipas Rregullores Nr. 01/ 2023 Regjistrimi dhe Funksionimi i Partive Politike. Pas pranimit të aplikacionit për regjistrim të iniciativës politike, Zyra ka shqyrtuar dhe verifikuar të gjithë dokumentacionin e dorëzuar, duke filluar nga: Statuti, programi, akti i themelimit, simboli, raporti financiar dhe libreza e nënshkrimeve të përkrahjes së votuesve të regjistruar. Pas pranimit të këtyre dokumenteve, Zyra ka komunikuar me palët, duke i dërguar shkresën që përmban komentet për ndryshim. Iniciativës politike i është dhënë afat prej pesë (5) ditësh për të dërguar ndryshimet. Para përfundimit të këtij afati, iniciativa politike ka aplikuar ndryshimet e kërkuara dhe ka dorëzuar materialet në Zyrë.

Pas verifikimit përfundimtar të të gjitha dokumenteve që kërkohen për regjistrimin e iniciativës politike si parti politike, Zyra ka shpallur në shqyrtim publik kërkesën e kësaj iniciative politike nga 15.02.2024 deri më 21.02.2024. Gjatë kësaj periudhe nuk është pranuar asnjë ankesë që ndërlidhet me aplikimin për regjistrim të saj.

Iniciativa politike “Srpski Narodni Pokret” pas regjistrimit nga KQZ, do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës dhe do të jetë partia politike me numrin rendor pesëdhjetë e një (51).

  • Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ shqyrtoi dhe miratoi kërkesën për zëvendësimn e anëtares së Kuvendit Komunal në Prishtinë. Sipas vendimit të KQZ-së, znj. Besë Prestreshi emërohet anëtare e Kuvendit Komunal në Prishtinë nga subjekti politik “Lidhja Demokratike e Kosovës”, duke e zëvendësuar znj. Donjeta Dragusha.
  • Gjatë mbledhjes së sotme, KQZ shqyrtoi dhe miratoi pjesëmarrjen në punëtorinë “Mbikëqyrja e financave të partive politike”, e cila do të mbahen në Pragë të Republikës së Çekisë.
  • Në vazhdim të mbledhjes, KQZ shqyrtoi dhe miratoi plani e punës së Komitetit të Auditimit për vitin 2024 si dhe shqyrtoi e miratoi raportin e punës të të njëjtit komitet për vitin 2023.