Mbledhja e 18-të: KQZ-ja miraton strategjinë për listën votuese

21/06/2022

Prishtinë, 21 qershor 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga Kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për miratimin e strategjisë për listën votuese. Duke e ditur se lista votuese është komponenti kryesor i një procesi zgjedhor, KQZ-ja synon të rrisë besimin e votuesve dhe subjekteve politike duke përmirësuar cilësinë dhe integritetin e listës së votuesve.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja vendosi që të pezullojë partivë politike Pokret za Župu i Dijasporu-ŽUPSKA për shkak të mos-mbajtjes së kuvendit zgjedhor as pas miratimit të dy kërkesave nga ana e KQZ-së për shtyrjen e tij për shkak të masave kufizuese kundër pandemisë në mbajtjen e tubimeve. Po sipas vendimit të KQZ-së, obligohet partia politike që në një afat prej 45 ditëve ta mbajë kuvendin zgjedhor.

Po ashtu, KQZ-ja mori vendim për t’i lejuar afat shtesë për mbajtjen e kuvendit zgjedhor partisë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI) deri në fund të muajit korrik të vitit 2022. Kjo parti politike ka paraqitur kërkesën në KQZ për zgjatjen e afatit për mbajtjen e kuvendit zgjedhor për shkak të probleve financiare të brendshme dhe fillimit të vonshëm të kuvendeve zgjedhore në degë të saj, gjë që shkakton shtyrjen e kuvendit qendror.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit të buxhetit për KQZ-në për periudhën 2023 – 2025.

KQZ-ja miratoi edhe raportin vjetor financiar të fondit për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2021. Me ligjin për buxhetin e Kosovës nr. 07/L-041 për vitin 2021, buxheti i aprovuar për programin mbështetje e subjekteve politike ishte në shumë 4,200,000.00 euro. Nga ky buxhet, gjatë periudhës janar – dhjetor 2021, sipas vendimit të KQZ-së, është transferuar buxheti në shumën 3,901,615.94 euro te subjektet politike të cilat kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, buxheti në vlerën prej 271,477.87 euro është alokuar për grupet parlamentare dhe sipas kërkesave të tyre janë bërë të gjitha pagesat duke përfshirë edhe pagat e stafit.