KQZ vazhdon vizitat nëpër komuna, zhvillon takime të ndara me nënkryetarët Aritonović e Ajeti (Graçanicë) dhe Petković (Partesh)
Graçanicw dhe Partesh, 05 korrik 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar vizitat për t’u takuar me me kryetarët e komunave për t’u koordinuar dhe bashkëpunuar lidhur me zbatimin e Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2023.
Gjatë ditës së premte, delegacioni i KQZ-së në përbërje të anëtarëve, Sami Kurteshi, Gordana Laban, drejtorit për operacione zgjedhore, Haki Krasniqi dhe Zyrtarëve Zyrtarëve Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, Igor Ćirković dhe Zoran Stojanović, qëndruan në komunën e Graçanicës dhe Parteshit ku u pritën në takime të ndara nga nënkryetarët Igor Aritonović e Leotrim Ajeti dhe kryetari Dragan Petković.
Mbështetja e KQZ-së në ushtrimin e funksioneve, respektivisht të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto komuna dhe për bashkëpunimin e domosdoshëm me qëllim të zbatimit të përgjegjësive tjera ligjore të Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, ishin temat që u diskutuan gjatë këtyre takimeve.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve si dhe hapësira për adaptimin e Qendrave Komunale të Numërimit.
KQZ, në çdo komunë ushtron funksionin zyrtar përmes Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (ZEKKZ). Gjatë periudhës së zgjedhjeve, Zyrtari Ekzekutiv është Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve që themelohet nga përfaqësues të subjekteve politike të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale.
Përveç kësaj, me ligjin e ri KQZ do të themelojë në çdo komunë Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat duhet të vendosen në salla të mëdha apo në palestra sportive dhe që do të shërbejnë, ndër tjerash, edhe për numërimin e fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale.