Daka në konferencën për sfidat dhe praktikat rajonale në reformimin e sistemit zgjedhor

26/10/2018

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mori pjesë në konferencën rajonale të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën: “Sfidat dhe praktikat rajonale në reformimin e sistemit zgjedhor”. Kjo konferencë njëditore mblodhi përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe mediave nga vendi dhe rajoni për të ndarë përvojat lidhur me këtë temë.

Në fjalën e saj hyrëse kryetarja Daka u shpreh se Republika e Kosovës ka avancuar shumë në fushën e zgjedhjeve, por megjithkëtë duhet kushtuar vëmendje ndaj çdo sfide që paraqitet dhe mundësia më e mirë është përmes reformës zgjedhore, e cila duhet të ndodhë.

“Reforma Zgjedhore duhet të sigurojë integritetin e proceseve të ardhshme zgjedhore, sepse vetëm kështu do të mund të sigurojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe konkuruese. Duhet ta kemi parasysh që për reformë duhet të punohet seriozisht dhe të trajtohen të gjitha problematikat që janë hasur gjatë proceseve zgjedhore. Unë besoj se të gjithë së bashku mund të japim kontributin tonë, i cili në fund të fundit do t’i shërbente një qëllimi të përbashkët: forcimit të proceseve të ardhshme zgjedhore dhe rrjedhimisht edhe forcimit të shtetit tonë. Nëse ne do të arrinim këtë qëllim atëherë besoj se edhe integriteti dhe besueshmëria e qytetarëve në procese zgjedhore do të ishin të padiskutueshme”, tha Daka.

Foto: Instituti Demokratik i Kosovës

[foogallery id=”10556″]