Bashkëpunimi ndërinstitucional – thelbësor në forcimin e proceseve zgjedhore
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi morën pjesë në punëtorinë e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë me temën: “Mësimet e nxjerra nga organet gjyqësore dhe Trupat e Menaxhimit të Zgjedhjeve për zgjedhjet e vitit 2017”.
Në këtë punëtori mori pjesë edhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve: Nehat Idrizi – Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës; Afrim Ahmeti – Drejtor i Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës; Laura Pula – Prokurore në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit; Gyltene Sylejmani – Kryetare e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Në fjalën hyrëse, kryetarja Daka u shpreh se “prezenca jonë e përbashkët këtu, është shenjë e përkushtimit dhe angazhimit tonë që t’i shërbejmë këtyre qëllimeve (besueshmëria në procesin zgjedhor, realizimi me integritet i tij, rritja e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje, promovimi i të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës) dhe në këtë drejtim shërben edhe Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar ndërmjet institucioneve që ne drejtojmë”, tha Daka.
Ajo shtoi më tej se duhet të vazhdojmë të forcojmë proceset e ardhshme zgjedhore, të rrisim sigurinë, si masa për parandalimin e parregullësive që mund të paraqiten dhe se për këtë thelbësor është bashkëpunimi ndërinstitucional.
[foogallery id=”10562″]