Maturantët e Suharekës mësojnë për procesin zgjedhor si votues të rinj
Nga data 25 deri më 29 nëntor 2024, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Suharekë organizoi dhe zhvilloi tri ligjërata edukative për maturantët e shkollave të mesme të qytetit. Këto ligjërata kishin për qëllim të informonin dhe edukonin të rinjtë mbi rëndësinë e votës, procesin zgjedhor dhe mundësitë që ata kanë për t’u angazhuar aktivisht në politikë dhe shoqëri.
Ligjëratat u mbajtën në tri institucione arsimore të Suharekës: “Jeta e Re”, IAAP “Skënder Luarasi” dhe IAAP “Abdy Ramaj”. Pjesëmarrës në këto aktivitete ishin mbi 100 maturantë, të cilët treguan interes të madh dhe u angazhuan në mënyrë aktive gjatë ligjëratave. Përmbajtja e ligjëratave përfshinte disa aspekte kyçe të procesit zgjedhor, si rëndësia e votës si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen politike dhe të ardhmen e vendit, përshkrimi i procesit zgjedhor dhe mënyrave se si mund të angazhohen të rinjtë në politikë dhe në shoqëri. Një pjesë e veçantë e këtyre aktiviteteve ishte simulimi praktik i procesit të votimit, që ndihmoi pjesëmarrësit të kuptojnë më mirë procedurat dhe përgjegjësitë që përfshijnë zgjedhjet.
Gjithashtu, fokus i rëndësishëm u vu tek përdorimi i teknologjisë dhe mediave sociale për të informuar dhe ndërgjegjësuar votuesit e rinj. Ligjëruesit theksuan se platformat digjitale janë një mjet i rëndësishëm për rininë, që u mundëson atyre të qëndrojnë të informuar dhe të marrin pjesë aktive në zhvillimet demokratike.
Në fund të ligjëratave, maturantët u inkurajuan që të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të angazhohen në mënyrë aktive në proceset politike dhe demokratike të vendit. Gjithashtu, u rekomandua që aktivitete të ngjashme të vazhdojnë të organizohen edhe në të ardhmen, me qëllim që të rinjtë të jenë të informuar dhe të përfshirë në jetën qytetare. Të gjithë pjesëmarrësit u ftuan të ndajnë njohuritë e fituara me bashkëmoshatarët dhe komunitetet e tyre, duke ndihmuar në forcimin e kulturës demokratike në vend.