KQZ fillon programin trajnues për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës
Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar programin orientues të trajnimit për anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
Të premten, seancat e trajnimit u mbajtën me anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve nga komunat Mitrovicë e Jugut, Skënderaj dhe Vushtrri, ndërsa të shtunën, me anëtarë të KKZ-ve nga komunat Mitrovicë e Veriut, Zvçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Zhvillimi i këtij programi, i cili aplikohet në çdo process zgjedhor, ka për qëllim informimin dhe njoftimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore gjatë ushtrimit të mandatit të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Gjatë programit të trajnimit, vëmendje e madhe do t’i kushtohet ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2023.
Në ditët në vazhdim, programet e trajnimit do të mbahen edhe në regjionet tjera, si: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë.
Në muajin shtator, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka emëruar rreth 250 anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së, duke garantuar ligjshmëri, legjitimitet dhe efikasitet të procesit zgjedhor.