KQZ organizoi tryezën “Pjesëmarrja e barabartë gjinore në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve”

16/11/2023

Prishtinë, 15 nëntor 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizoi tryezën me temën: “Pjesëmarrja e barabartë gjinore në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve”, në të cilën u prezantua dokumenti për të njëjtën temë.

Në këtë tryezë, përveç KQZ-së, morën pjesë edhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Micheal Davenport, Drejtoresha e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia dhe përfaqësues të institucioneve tjera, përfshirë deputete të Kuvendit të Kosovës dhe të organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore.

Në fjalën e tij, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u shpreh se përfaqësimi i barabartë gjinor është një ndër vlerat themelore të zhvillimit demokratik të shoqërisë, prandaj duhet angazhim i përbashkët që të avancojmë këtë aspekt të demokracisë.

“Kur flasim për përfaqësimin gjinor në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk është vetëm një temë që përfundon me krijimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve apo të Këshillave të Vendvotimit. Konsideroj se përfaqësimi i barabartë gjinor do të ndikonte drejtpërdrejtë në rritjen e pjesëmarrjes dhe përfshirjes së të gjithëve në procesin zgjedhor”, tha Radoniqi.

Më tej, Radoniqi bëri të ditur se me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në qershor të këtij viti, nuk ka detyrime të veçanta përmes së cilave specifikohet përfaqësimi i barabartë gjinor në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve.

“Kur jemi te përfaqësimi gjinor në Trupat e Menaxhimit të Zgjedhjeve, siç janë Komisionet Komunale dhe Këshillat e Vendvotimeve, KQZ-ja nuk ka mundësi të detyrojë subjektet politike që të bëjnë nominimet e tyre për t’u përfaqësuar në këto dy lloj të trupave zgjedhore. Pra, nuk është nën autoritetin e KQZ-së që të përcaktojë përbërjen e KKZ-ve dhe të KVV-ve. Gjithashtu, nuk ka ndonjë nen në ligj që detyron subjektet politike që të kujdesen për barazinë gjinore kur bëjnë nominimet e anëtarëve të tyre. Sipas ligjit në fuqi, KQZ-së i mbetët që të vlerësojë përmbushjen e kritereve ligjore para se të marrë vendim për emërimin e anëtarëve në Komisione Komunale të Zgjedhjeve apo në Këshilla të Vendvotimeve”, tha Radoniqi.

Ndërkaq, në fjalën e tij, shefi i OSBE-së, ambasadori Davenport u shpreh se është një parim themelor i OSBE-së që pjesëmarrja e grave në jetën publike dhe politike jo vetëm kontribuon në më shumë barazi, procese demokratike gjithëpërfshirëse dhe zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm, por pjesëmarrja e barabartë gjithashtu është e nevojshme nëse duam të shohim një përmirësim në vendimmarrje dhe formulimin e politikave për dobi të të gjitha komuniteteve dhe grupmoshave.

Zëvendësdrejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, u shpreh se përfaqësimi më i madh i grave në procesin zgjedhor është e drejtë fundamentale e të drejtave të njeriut. Ajo u bëri thirrje subjekteve politike që të rrisin përfshirjen e grave në vendimmarrje.

Sipas të dhënave të dokumentit të KQZ-së, përfaqësimi i grave në Këshillat e Vendvotimeve është më i mirë në krahasim me Komisionet Komunale të Zgjedhjeve. Sa i përket përbërjes së Këshillave të Vendvotimeve, në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të muajit shkurt 2021 vetëm 30.51% e anëtarëve kanë qenë gra, ndërsa në Zgjedhjet Lokale të tetorit 2021 është shënuar një rritje e lehtë e përqindjes së grave pjesëmarrëse në këto këshilla, pra 30.96%.

Fotografitë janë realizuar nga OSBE, që mbështeti organizimin e kësaj tryeze.