Vazhdojnë takimet informuese nëpër komuna për zgjedhjet me përfaqësues të subjekteve politike
Ferizaj, Gjakovë, Junik, Dragash dhe 5, 6, 7, 8 nëntor 2024 – Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me fushatën informuese nëpër komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Nga 5 deri më 8 nëntor, Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (ZEKKZ) të komunave Ferizaj, Gjakovë, Junik, Dragash, organizuan tryeza me përfaqësues të subjekteve politike.
Në këto tryeza, pjesëmarrësit u informuan për procesin zgjedhor, ndryshimet ligjore, dhe u inkurajuan të përcjellin informacionet në komunitetin e tyre për të rritur informimin e votuesve.
Disa nga temat e trajtuara përfshinin: ndryshimet ligjore, ndërrimi i qendrave të votimit, votimi me kusht, regjistrimi dhe votimi jashtë Kosovës, regjistrimi i personave me nevoja të veçanta, votimi me asistencë, mënyrën e votimit, fushata elektorale, transparencën e numërimit të votave. Pjesëmarrësit ngritën pyetje lidhur me aspektet e votimit me asistencë, organizimin e votimit jashtë vendit dhe çështje të tjera procedurale.
Ditëve në vazhdim, ZEKKZ-të do të vazhdojnë me takime të tjera të ngjashme për të informuar grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë organizatat e të rinjve, shoqatat e personave me nevoja të veçanta dhe komunitetet lokale.